Teksa tregu i punës është përfshirë në emergjencë kombëtare për punonjës në të gjithë sektorët e ekonomisë në kryeqytet dhe në qarqe, papunësia në grupet e reja të popullsisë shënoi rritje në tremujorin e fundit të vitit 2022 në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.
Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç, ose 3,669 te rinj më shumë të papunë se njëjta periudhe e vitit të mëparshëm, me rritje gati 5.1 %. Gjithashtu treguesi i punësimit tregoi zhvillime negative duke raportuar rënie të punësimit tek të rinjtë me 0.3% për të njëjtën periudhë krahasimi.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5 % në 3-mujorin e fundit 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 0,9 për qind. Krahasuar me tremujorin e tretë 2022, ky tregues është rritur me 1,0 pikë përqindje.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se tregu i punës në vendin tonë paraqitet problematik për grup moshat e reja.
Emigracioni i lartë i moshave të reja në fakt duhet të ndihmonte në integrimin me të mirë në tregun e punës për të rinjtë e mbetur në Shqipëri. Por teksa popullsia e të rinjve po bie me shpejtësi nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve, dhe nga ana tjetër kërkesa nga bizneset për punë po rritet rrjedhimisht punësimi tek të rinjtë duhet të rritej.
Anketa me të hollësishme mbi zhvillimet në tregun e punës udhëzojnë se modeli ekonomik në të cilën është bazuar vendi ynë nuk ofron vende pune atraktive për të rinjtë.
Aktualisht ofertën më të lartë për pune e kanë sektorë më vlerë të ulët pagese të tilla si fabrikat në industri tekstile, punonjës pastrimi nga hoteleria dhe punëtore krahu në sektorin e ndërtimit. Të rinjtë e sotshëm nuk preferojnë të punojnë në këto sektorë me një lodhje të madhe fizike kundrejt një pagese të ulet në kufijtë e minimales.
Duke përjashtuar të rinjtë zhvillimet në tregun e punës ishin pozitive përgjatë gjithë vitit 2022. Në tremujorin e fundit, papunësia në popullsisë mbi 14 vjeç shënoi ulje me 2181 persona, më rënie vjetore 1.3 %. Rënia më e madhe i takon grup moshës 30-64 vjeç, me -9% ose 8105 të papunë më pak.
Shqipëria ka shfaqur problematikë të vazhdueshme në punësimin e të rinjve dhe gjithashtu renditet në vendet e para në Europë për përqindjen e lartë te të rinjve që nuk janë as në punë dhe as në ndonjë trajnim.
Në vitin 2020 rreth 28 për qind e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk ishin as në punë dhe as duke ndjekur ndonjë shkollë apo trajnim. Kjo situatë tregon se edhe në ardhmen afatgjatë tregu i punës në vendin tonë do të vuajë nga mungesa e aftësive në tregun e punës dhe ekonomia do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të tu ofruar drejt një modeli që prodhon mallra me vlerë të lartë në tregjet ndërkombëtare./ Monitor