Të bëhesh prind do të thotë të marrësh përgjegjësi për një jetë tjetër. Njeriu duhet të vendosë vetë se kur duhet të bëhet prind. Femra fillon të bëhet nënë në çastin kur e sheh fëmijën e saj për herë të parë. Femra si krijesë natyrore ka aftësinë të rrisë jetë brenda vetes. Ajo pranon dhe e mbron farën e jetës që i dhurohet prej mashkullit, duke investuar gjithë veten e saj.
Pa e kuptuar edhe vetë i vihet në dispozicion “jetës” prej ngazëllimit që provokon ndjesia e të qenit “jetëbërëse”, të sjellësh dikë në jetë. Ky është një investim i bërë heshturazi çast pas çasti për nëntë muaj brenda vetes dhe 12 muaj në krahë dhe gji të saj (periudha e ushqyerjes me gji deri sa të marrë këmbët fëmija); një investim i plotë trup dhe shpirt, ditë pas dite, e zgjuar apo në gjumë duke mos ndjerë nevojën për t’u ankuar.
Edhe kur ankohet është vetëm një moment i cili fashitet menjëherë, sepse ndjesia e të bërit një fëmijë është më e fuqishme. Mëmësia është ëndrra më e fuqishme e çdo gruaje si e vetmja formë që e prir atë drejt plotësisë./ Pediatrja Lira Gjika