Me llogaritjet për tatimin mbi të ardhurat K.E., me profesion psikologe do të duhet të paguajë rreth 1 mijë euro tatim në muaj për shtetin. Ajo pohoi për “Monitor” se masa e detyrimit tatimor është shumë e lartë dhe rrezikon ta çojë drejt falimentimit.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari 2024 dhe profesionistëve u kanë ardhur tashmë faturat e kripura, ndërsa paqartësitë për mënirën si po zbatohet ligji janë të shumta.
“Mënyra e llogaritjes për parapagimin e tatimit jo vetëm që është e padrejtë, por edhe është në masë të lartë. Është pothuajse e papërballueshme.
Me këtë formulë llogaritje, shteti pothuajse të takson 100% të ardhurat, duke mos përfshirë llogaritjet e shpenzimeve për karburant për lëvizjet me makinë në gjykatat e rretheve, por edhe rënien e volumit të punës, për shkak të largimit të gjykatësve nga Vetingu apo në gjykata të tjera, ku roli i psikologut nuk është i nevojshëm.
Në këtë situatë, shumë prej të vetëpunësuarve të profesioneve të lira rrezikojnë të mbyllin aktivitetin, pasi tatimi është i papërballueshëm”, pohon ajo.
Edhe për Gj.K., me profesion avokat, tatimi vjetor prej 9 mijë eurosh apo 1 mijë euro në muaj (llogaritja e detyrimet është 9-mujore dhe parapaguhet me këste mujore apo 3-mujore) konsiderohet e lartë.
“Me këtë masë detyrimi të paktën 2 muaj në vit duhet të punojmë vetëm për shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit. Detyrimi është tepër i lartë”, veçon ai.
Ndërsa avokatja dhe lektore e së drejtës juridike, Enida Bozheku, tha se me ligjin e ri nuk zbatohet principi i drejtë i taksës progresive. “Profesionet e lira do të paguajnë njësoj tatim sa një prodhues. Ky taksim godet shtresën e mesme, veçanërisht të rinjtë. Do të nxisë emigracionin, pasi nuk do të përballohet detyrimi i lartë”.
Pritet edhe rënia e kompanive IT që ofrojnë shërbime për tregun e huaj
Vitet e fundit, tregu i shërbimeve IT në Shqipëri është zgjeruar për shkak të konkurrueshmërisë nga zerimi i taksave për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime ndaj të tretëve. Vendosja e tatimit nga 15 deri në 23% te profesionet e lira pritet të ketë ndikim negativ edhe te kompanitë apo të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime IT.
Aleksandër Risilia, drejtues i kompanisë “Ritech”, që ofron shërbime IT për tregun amerikan tha për podcast-in “Business Plus” se vendosja e tatimit do të ndikojë në tkurrjen e numrit të kompanive IT.
“Zerimi i taksave për profesionet e lira ka dhënë shumë kontribut te zgjerimi i tregut IT në Shqipëri. Përpara krizës globale të vitit të kaluar, numri i kompanive dhe të vetëpunësuarve të shërbimit IT është rritur 40 deri në 50%. Vendosja e taksimit do të ketë disa efekte.
E para, kompanive IT iu vihet “laku në fyt” me taksimin e ri. Së dyti, përfshirja e taksimit, nisur nga të dhënat që ne disponojmë, i ka shtrenjtuar shërbimet e ofruara në Shqipëri më shumë se në Kosovë dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo do të sjellë stopim të rritjes së kompanive dhe të vetëpunësuarve në këtë sektor, por edhe tkurrje të tyre. Efektet nuk janë aspak pozitive për këtë sektor që prej vitesh është zgjeruar në Shqipëri.
Nga ana tjetër, eksportuesit e shërbimeve IT, të cilat po krijojnë vlerë aftësish në tregun shqiptar, po vuajnë efektet e forcimit të lekut”.
Z. Risilia pohon se zbatimi i tatimit te profesionit e lira do të ndikojë negativisht jo vetëm tek industria eksportuese e shërbimeve IT në Shqipëri, por edhe ndërprerjen e aftësimit profesional të individëve për të themeluar start up-e të reja inovative për tregun e huaj.
“Nuk jemi ende gati për të qenë një treg i madh start up, pasi të gjitha tregjet e ngjashme, si në Poloni dhe Rumani, të cilat e kanë kaluar këtë fazë, fillimisht e kanë nisur duke ofruar shërbime ndaj kompanive të huaja. Të punosh për kompani të mëdha do të thotë të rrisësh aftësitë profesionale.
Kjo ka sjellë që shumë individë, që kanë punuar më parë me kompanitë e mëdha të huaja, janë aftësuar profesionalisht për të krijuar start-up, pasi është shumë e vështirë për të ngritur start up inovativ me ndikim botëror nëse nuk ke aftësi.
Aftësitë fitohen, duke punuar për kompani e mëdha. Prandaj është tepër e nevojshme që miratimi i politikave fiskale të jenë të përshtatshme për IT, pasi janë kontribuuesi më i madh i individëve për ngritjen e strat-up në Shqipëri”, tha ai./ Monitor