Në Afganistanin verilindor, talebanët mbyllën një radio stacion të drejtuar nga gra për gjoja se luanin muzikë gjatë muajit të Ramazanit dhe përfaqësuesit e mediave mohuan se kishte pasur ndonjë shkelje të tillë.
Sadai Banowan, që do të thotë “zëri i gruas”, është i vetmi stacion në Afganistan i drejtuar nga gra dhe ka filluar të punojë dhjetë vjet më parë.
Stacioni radiofonik ka tetë punonjës, gjashtë prej të cilëve janë gra, raportoi agjencia AP.
Drejtori i informacionit dhe kulturës në provincën Badakhshan, Moezuddin Ahmadi, tha se stacioni shkeli ligjet dhe rregulloret disa herë duke transmetuar muzikë gjatë Ramazanit dhe u mbyll për atë shkelje.
Ahmadi theksoi se radiostacioni do të marrë leje për të punuar përsëri, nëse garanton që diçka e tillë nuk do të ndodhë më.
Drejtuesja e stacionit, Najia Sorosh, mohoi se kishte pasur shkelje dhe se ata kishin transmetuar muzikë, duke theksuar se nuk kishte nevojë të mbylleshin dhe e quajti atë një komplot.
Sorosh deklaroi se të enjten përfaqësues të Ministrisë së Informacionit dhe Kulturës dhe Ministrisë së Virtytit dhe Luftimit të Veseve hynë në stacion dhe e mbyllën atë.
Talibanët morën pushtetin në gusht 2021 dhe mediat janë mbyllur për shkak të mungesës së fondeve ose largimit të stafit nga vendi, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur Afgan.
Talebanët i ndaluan gratë nga shumica e formave të punësimit dhe arsimimit përtej klasës së gjashtë, përfshirë universitetin.
Nuk ka asnjë ndalim zyrtar për transmetimin e muzikës në Afganistan, kujton agjencia amerikane.
Gjatë sundimit të tyre të mëparshëm në fund të viteve 1990, talebanët ndaluan shumicën e stacioneve televizive dhe radiofonike, si dhe gazetat në vend.