Mbahet sot në Ohër në Maqedoninë e Veriut takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Në këtë takim Kosova dhe Serbia pritet të nënshkruajnë marrëveshjen e re për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin europian. Në vendin ku do të zhvillohen takimet të parët që mbërritën ishin i dërguari i BE për dialogun Miroslav Lajcak si dhe komisioneri Oliver Varhelyi ndërsa pas tyre edhe dy liderët Kurti dhe Vuçiç.
Agjenda parashikon takime të ndara të tyre me zyrtarët europianë e më pas një takim kokë më kokë në orët e pasdites. Më herët kryeministri Kurti ka thënë se Kosova e pranon propozimin europian ndërsa Vuçiç është shprehur se kjo do të jetë një ditë e vështirë. Në këtë takim nuk pritet të ketë një marrëveshje për njohje reciproke ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi do të mbajnë palët për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.