Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e dy qeverive, pikërisht asaj të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e cila po mbahet në Shkup e ka vënë theksin e tij te kriza energjetike. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë më kërkuese ndaj Bashkimit Europian kur vjen puna tek planet që ata kanë në përballimin e pasojave të luftës, siç është rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe inflacioni. Rama ka theksuar se nuk kanë pse të presin përfundimin e luftës për të projektuar të ardhmen. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë përpjekje duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo në mënyrë individuale por në mënyrë kolektive. Meritat për këtë marrëdhënie dhe për këto përpjekje ja ka faturuar Ballkanit të Hapur.
”Në 6 dhjetor, në Tiranë, do të mbahet Samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty së bashku, me të gjitha dëshirat, problemet dhe sfidat tona, të cilat janë gjithmonë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe është koha, besoj unë, për të projektuar të ardhmen përtej luftës, duke kërkuar nga njëra anë, së bashku të gjitha vendet tona nga Bashkimi Europian që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar, qoftë goditjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike, qoftë dhe inflacionit të luftës. Nga ana tjetër, për të ndërtuar një plan të përbashkët, një plan i cili të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por njëkohësisht jo të pambarimtë. Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj. Në këtë aspekt, do thoja se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë njëfarë përgatitje, duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo thjesht në mënyrë individuale, si shtete më vete, por edhe në mënyrë kolektive si vende të të njëjtës zonë gjeografike dhe gjeopolitike, qoftë në aspektin e Ballkanit Perëndimor si rajoni ynë, qoftë në aspektin e Bashkimit Europian si destinacioni ynë”, tha Rama.