I dënuar me 3.4 vite burgim, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka “dalë” nga qelia dhe është shfaqur në krah të të afërmve, kryesisht nënës. Ai mori leje 48 orëshe për të qenë prezentë në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Bashkim Tahiri, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.
Vendimi për miratimin e lejes është marrë dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe prokurori i çështjes. Gjatë kësaj periudhe, Tahiri do qëndrojë nën shoqërinë e efektivëve të policisë së burgjeve.
Tahiri ndodhet pas hekurave pasi më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, e dënoi me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim.