Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e mesnatës të së hënës në ambientet e njërës prej televizioneve kombëtare më të rëndësishme në vend.
Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të televizionit Top Channel, duke lënë të vrarë rojen e sigurisë.
Reagime të ndryshme dhe të forta kanë ardhur menjëherë nga krerët shtetërorë por edhe opozita shqiptare:
Begaj
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u bëri thirrje organeve ligjzbatuese që ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.
Kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllimet familjes së rojës Pal Kola, i cili mbeti viktimë nga sulmi me kallashnikov në ambientet e televizionit.
Rama
Agresioni kriminal ndaj Top Channel me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese!
Është kjo thirrja e kryeministrit të vendit, Edi Rama, pas sulmit në ambientet e televizionit kombëtar.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH.
Për Ramën ato meritojnë solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues.
Opozita
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan se “edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori”.
“Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë. Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë. Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve”.
Gjithashtu edhe kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj “sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë”.
“Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë Pal Kola, që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend. Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel”.
AMA
Autoriteti Mediave Audiovizive i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës ndërsa u bën thirrje organeve ligj zbatuese që autorët të vihen para drejtësisë.
“Ngjarja e mesnatës së kaluar, kur godina e televizionit Top Channel ishte objekt një sulmi me armë zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi të sigurisë, po përcillet me shumë shqetësim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit”.
Ndërkohë deri më tani bëhet me dije se një makinë e djegur është gjetur në autostradë, një tip “Range Rover” që dyshohet të jetë edhe mjeti që autorët përdorën për sulmin ndaj zyrave të televizionit.
https://vesanews.al/persona-te-paidentifikuar-qellojne-drejt-top-channel-vritet-roja-policia-ne-kerkim-te-autoreve/