Rusia po përgatitet për një luftë të zgjatur në Ukrainë dhe ata që mbështesin Kievin në NATO duhet të vazhdojnë të dërgojnë armë derisa presidenti rus Vladimir Putin të kuptojë se nuk mund të fitojë në fushën e betejës.
Kështu ka thënë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg në një intervistë për agjencinë AFP të premten.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg paralajmëroi se nuk kishte asnjë shenjë se Putin “ka hequr dorë nga qëllimi i tij i përgjithshëm për të kontrolluar Ukrainën”.
“Ne nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë. Rusia po planifikon një luftë të gjatë,” tha Stoltenberg në një intervistë.
“Ne shohim se ata po mobilizojnë më shumë forca, se janë gjithashtu të gatshëm të pësojnë shumë viktima, se ata po përpiqen të kenë akses në më shumë armë dhe municione. Ne duhet të kuptojmë se presidenti Putin është gati të jetë në këtë luftë për një kohë të gjatë dhe të fillojë operacione të reja sulmuese”, shtoi ai.
Sipas Stoltenberg, me shumë gjasa, kjo luftë do të përfundojë në tryezën e bisedimeve, si shumica e luftërave, por çdo vendim përfundimtar duhet të sigurojë “fitoren e Ukrainës si një komb sovran dhe i pavarur”.
“Mënyra më e shpejtë për ta arritur këtë është t’i mbështesim me forcë ushtarake, në mënyrë që presidenti Putin të kuptojë se nuk mund të fitojë në fushën e betejës, por duhet të ulet dhe të negociojë me ndershmëri”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.