Shërbimi britanik i inteligjencës MI5 ka paralajmëruar qeverinë se spiunët kinezë po hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar duke marrë nënshtetësinë e një vendi të tretë, e cila u lejon atyre akses pa viza.
Shqetësimet e shtynë Ministrinë e Brendshme të përgatiste kufizime të reja të vizave për një numër vendesh të përdorura nga kinezët, por Ministria e Jashtme e bllokoi vendimin, thanë burime të larta qeveritare për The Times.
MI5 ka ofruar dëshmi se shtetas nga vendet “armiqësore”, përfshirë Kinën, po hyjnë në vend duke marrë nënshtetësinë e vendeve që kanë marrëveshje udhëtimi pa viza me Britaninë e Madhe.
Agjencia e inteligjencës ka frikë se mes tyre ka agjentë që punojnë për shtetin kinez dhe gjithashtu ka shprehur shqetësimin se spiunët rusë mund ta përdorin këtë praktikë.
Vendet që autoritetet britanike thonë se përdoren nga spiunët kinezë dhe grupet e krimit të organizuar përfshijnë Vanuatu në Paqësorin Jugor, Namibinë në Afrikën Jugore dhe Timorin Lindor në Azinë Juglindore.
Ato janë ndër një numër në rritje vendesh që lejojnë të huajt të marrin nënshtetësinë duke investuar ose duke paguar një sasi relativisht të vogël parash në vend.
Ndryshe nga Kina, ata janë gjithashtu në listën e vendeve të Mbretërisë së Bashkuar, shtetasit e të cilëve nuk kanë nevojë për vizë për të qëndruar në MB deri në gjashtë muaj.
Ministria e Brendshme ka hartuar plane për vendosjen e kufizimeve të vizave, pasi u prezantua me dëshmi se disa shtetas kinezë, të cilët punojnë për interesat e qeverisë në Pekin, kanë hyrë në Britaninë e Madhe përmes këtyre vendeve.
Sipas inteligjencës britanike, Vanuatu konsiderohet rruga më shqetësuese për spiunët dhe kriminelët potencialisht armiqësorë.
Të huajt në atë vend mund të bëhen shtetas brenda pak muajsh duke paguar një tarifë prej rreth 136,000 euro pa pasur nevojë të banojnë atje.
Sipas The Times, më shumë se 4000 pasaporta u janë lëshuar qytetarëve kinezë në këtë mënyrë.
Një pasaportë Vanuatuse hap udhëtimin turistik pa viza në 123 vende, krahasuar me vetëm 70 me një pasaportë kineze.
Namibia gjithashtu lejon shtetasit e huaj të fitojnë të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë prej tre muajsh, me një investim minimal prej 270,000 £.
Burime qeveritare i thanë The Times se Ministria e Jashtme e kishte bllokuar vendimin sepse Ministria e Brendshme kishte vënë më parë veton ndaj përpjekjeve të saj për të hequr kufizimet e vizave për një numër vendesh, të cilat përfshijnë Indonezinë, Tajlandën dhe Zambian.
Ministria e Jashtme e Britanisë dëshiron të lejojë udhëtimin pa viza për turistët nga këto vende, si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet, por Ministria e Brendshme heziton të lehtësojë rregullat e vizave.
Një burim qeveritar tha se mosmarrëveshje të tilla janë një dukuri e rregullt dhe se nuk ka gjasa që njëra palë të dorëzohet pa lëshime nga tjetra.