Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë detajet pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Fier.
Në një konferencë për shtyp, prokurori i SPAK, Adnan Xholi, i cili e ka ndjekur këtë çështje, deklaroi se ndër të tjera, janë sekuestruar 24 tonë pleh artificial, brenda së cilës ekzistojnë dyshimet se përmban një sasi lëndë narkotike të llojit kokainë prej rreth 430 kilogramë.
Ai u shpreh se kjo sasi është ngarkuar në një port të Kolumbisë në muajin maj të vitit 2022 nga një shtetas shqiptar, i cili në janar kishte hapur një aktivitet në Shqipëri, ndër të cilat ishte importi i plehrave kimike.
Sasia e plehut, brenda së cilës ishte fshehur kokaina, ka një vlerë prej 40 milionë eurosh dhe u transportua nga Kolumbia fillimisht në portin e Pireut në Greqi, më pas në Portin e Barit në Itali, Mal të Zi dhe destinacion të fundit, Shqipërinë.
Ndërsa, drejtuesi i SPAK, Arben Kraja bëri të ditur se për hetimin e kësaj çështjeje, ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me shumë agjenci ligjzbatuese jashtë vendit.