Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka marrë në dorë dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të sapo zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje. Hetimi për Belerin nisi që më 8 maj pasi kishte dyshime se blinte vota nga 50 deri në 200 euro. Ka qenë një person me inicialet, A.R i cili ka bërë denoncim në Prokurorinë e Vlorës për blerjen e votave.
Në dosje thuhet se ai kishte biseduar me Belerin për një listë me 13 emra dhe për këtë do të paguhet 300 euro për ‘shërbimin’ që do t’i bënte dhe do të merrte nga 50 euro që t’ua shpërndante personave që do e votonin. Veprimi i mësipërm dhe komunikimi midis Pandeli Kokaveshit, personi tjetër të arrestuar me Belerin, dhe shtetasit A. R janë dokumentuar me audio dhe video nga ana e Prokurorisë së Vlorës.
Brenda 10 ditëve Gjykata e Posaçme, do të rivlerësojë masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë më herët nga Gjykata e Vlorës.