SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit, të cilët u arrestuan tre ditë para zgjedhjeve të 14 majit nën akuzën e shitblerjes së votës.
Beleri akuzohet për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
“Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.111 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 31.07.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve: 1.Dhionisios Alfred Beleri, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal. 2. Pandeli Kokaveshi, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim.