Kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia ndodhet në terren për situatën e përmbytjeve që është shkaktuar në qarkun e Shkodrës. Nga Oboti ai ka folur për gjendjen në të cilën ndodhen duke shprehur se niveli i ujit vazhdon të rritet. Banorët ndodhen të izoluar ndërsa Spahia kërkon ndihma nga shteti në mjete dhe forca për të përballuar këtë fatkeqësi.
Spahia: Siç e shikoni dhe vetë ka pasur rritje të nivelit të ujit, gjë që ka sjellë problem për banuesit e këtyre zonave. Momentalish janë të izoluar dhe po tentohet ti krijohet akses qoftë dhe për të marrë shërbimin e domosdoshëm. Bashkia e Shkodrës ka marrë masat e duhura në kontakt të vazhdueshëm edhe me përfaqësuesit tanë, drejtuesit e njësive administrative. Fshati Kuç ka pasur probleme të theksuara. Gjithashtu dhe në disa lagje periferike të qytetit të Shkodrës. Ura e Bahçallikut është mbyllur pasi është rrënuar ura e vjetër dhe ka kthyer në rrezikshmëri të lartë dhe qarkullimin në urën egzistuese. Do të duhej vlerësimi i ekspertëve që të japin vlerësimin e tyre për aksesin e saj. E vetmja rrugë alternative është ajo nëpërmjet Gurit të Zi.
Kam kërkuar me forcë domosdoshmërinë e vëmëndjes absolute të institucioneve të shtetit. Duhej që dje të shtoheshin forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile bashkë me mjetet e përshtatshme për ndërhyrje. Vetëm me mjete të posaçme mund të garantojnë transportin e njerëzve dhe komunikim e tyre me pjesën tjetër.
Sipas të gjitha informacioneve kjo situatë është rezultat i hapjes në mënyrë shumë të shpejtë i portave të hidrocentraleve në mënyrë të papritur. Ka qenë i domosdoshëm lajmërimi në kohë nga autoritetet që administrojnë kaskatën e Drinit, të paktën të bashkisë në mënyrë që të kishim mundësi të lajmëronim banorët dhe të vinim në ndihmë të tyre.
Në këto raste mënyra më e mirë për ti bërë ballë është shpallja e gjendjes së emergjencës.