Sot, një ditë pasi ai është varrosur, e ndjej veten pak fëmija i Kol Palit, pak gruaja e Kolit, pak motra e Kolit, pak vëllai i Kolit dhe pak nëna e babai i Kolit të cilët e vuajnë në palcë humbjen e tij. Sot ndjej se nesër mund të jetë radha ime. Sot kam frikë për veten dhe për familjen time. Sot dua të iki nga këtu ku jeta vlen veç një plumb dhe një status në rrjete sociale. Shqipëria sot është bërë vendi ku kemi frikë të ecim në rrugë, të ecim me automjet, të punojmë, të rrimë të qetë në shtëpinë tonë, të ulemi të pimë një kafe, të dalim shëtitje në park, sepse vdekja të vjen nga të gjitha anët, edhe pse s’ke faj.
Ne, qenia njerëzore nëse nuk e ndjejmë në kurrizin tonë dhimbjen, vështirë se ngremë zërin për të tjerët. Sot fëmija i Kolit mallkon veten pse Zoti e lindi të varfër dhe babait i duhej të punonte natën për një pagë minimale. Gruaja pendohet për të gjitha zënkat që ka pasur me të ndjerin sa herë nuk ka pasur çfarë t’u japë fëmijëve për të ngrënë. Motra e vëllai ndoshta sot kanë pyetur vetën pse nuk e ndihmuan Palin pak më shumë. E ndërkohë, nëna dhe babai i Kolit, ah sa do donin ata të mos ishin gjallë sot.
Varfëria dhe ndershmëria i të qenurit i varfër është një virtyt që vetëm të varfrit e kanë dhe shtresa tjetër s’do ta kuptojë kurrë, por po, do solidarizohet gjithmonë për ta në rrjetet sociale. Madje madje, edhe kur vdes një i varfër i pafajshëm, ngushëllimet e para do të shkojnë për ata që kanë statusin social më të ngritur. Në këtë rast u solidarizuan me Lorin, familjen e Lorit dhe më pas më rojën e biznesit të tyre. Nuk kemi parë as edhe një ditë të vetme që të prenoncohen për mediat familjet e viktimave të pafajshme, sepse ata nuk dinë të jenë ndryshe veçse të pafajshëm.
Shqipëria, ky vend misterioz ku punëtorja vdes duke punuar në lokal, burri vjen të vret në shtëpi, persona të paidentifikuar të vrasin në punë teksa je roje, qëllohesh teksa ecën rrugës.
‘Hënkshin kokat e tyre’ ka thënë kohë më parë dikush, por kush mban përgjegjësi për të gjithë këto jetë të humbura? Pse shumë prej ngjarjeve kriminale ku viktima janë të pafajshmit nuk janë zbardhur ende dhe nuk kanë një autor pas hekurave? Dhe sa persona të tjerë duhet të vdesin që të ndërmerren masa më të rrepta sigurie në këtë vend? Kush më siguron mua që nesër s’do jetë radha ime? Mendoj se kambana e alarmit ka rënë, por në vesh të shurdhët.
Koha ka treguar se ‘po hahen’ vetëm kokat e të pafajshmëve…sepse sot në Shqipëri, vdesin të pafajshmit./ Klara Murra