Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është pas rivalit të tij kryesor Kemal Kilicdaroglu me më shumë se pesë pikë përqindje përpara zgjedhjeve presidenciale të së dielës, sipas një sondazhi të publikuar të enjten nga firma Konda.
Sondazhi tregoi se Erdogan ka 43.7 për qind të mbështetjes dhe Kilicdaroglu 49.3 për qind, duke e lënë atë vetëm pak nga shumica e nevojshme për të fituar në raundin e parë, transmeton Reuters.
Kjo sugjeron që zgjedhjet do të shkojnë në balotazh mes të dyve më 28 maj.
Zgjedhjet e këtij muaji në Turqi janë sfida më e madhe politike deri më tani për presidentin turk, i cili ka dy dekada në pushtet dhe opozita i sheh ato si mundësinë më të mirë për ta hequr atë nga pushteti dhe për të ndryshuar politikat e tij.
Erdogan ka qenë nën një presion të madh kohët e fundit.
Ndërsa Perëndimi e akuzon atë për sundim autoritar, represion, shtypje të medias dhe persekutim të kundërshtarëve, kundërshtarët në Turqi e fajësojnë atë për korrupsion të përhapur si dhe një përgjigje të ngadaltë dhe joadekuate ndaj tërmeteve të shkurtit në juglindje të vendit, të cilët vranë dhjetëra mijëra njerëz.
Përveç kësaj, inflacioni i lartë, për të cilin kritikët pretendojnë se u favorizua nga vendimet e këqija të Erdoganit, ka gërryer standardin e jetesës së turqve.
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen më 14 maj, me një balotazh të mundshëm dy javë më vonë.