Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Gjirokastër. Pas dhunës ndaj mjekëve nga familjarët, tashmë dhuna ka shkuar edhe te mësuesit. Ngjarja ka ndodhur në shkollën 9 vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj të Gjirokastrës.
Mësuesja 43 vjeçare M.H është dhunuar nga tezja e një fëmije në klasën e tretë. Nga sa mësohet tezja kishte shkuar të merrte mbesën e saj pasi mbaroi mësimin por kjo e fundit ka pretenduar se është bullizuar dhe dhunuar nga mësuesja.
Pas të qarave të mbesës së saj e cila ankohej se mësuesja e kishte dhunuar, tezja e saj e identifikuar si S.K ka shkuar te mësuesja me të cilën ka pasur një debat të fortë dhe më pas e ka dhunuar atë. Sherri përfundoi pasi ndërhyri stafi mësimor.
Ndërkohë vetë mësuesja ka shkuar në polici ku ka bërë denoncimin për dhunën e ushtruar ndaj saj nga S.K për shkak të detyrës.