Bashkia e Vlorës për 15 vite nuk ka regjistuar në kadastër Qendrën e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe ka dyshime se toka do të jepej për pallate. Këto dhe të tjera shkelje të konstatura nga KLSH-ja, kanë çuar Prokurorinë në dyert e Bashkisë.
Mësohet se hetimet kanë nisur për shpërdorim detyre dhe janë sekuestruar disa dosje.
“Sipas raportit të KLSH-së, lënia si tokë “Shtet” për vite me radhë, ka bërë që sipërfaqa e qëndrës PAK të reduktohet ndjeshëm përgjatë viteve duke ju marrë një pjesë e konsiderueshme e sipërfaqes së saj . “Si pasojë e mos regjistrimit të truallit me nr. pasurie 24/1-T, kod unik 8602017041, në pronësi të bashkisë Vlorë dhe lënia për një kohë afësrsisht 15-vjecare në pronësi “shtet”, mbi këtë truall kanë ndodhur ndryshimet si mëposhtë, por jo vetëm:
– Pas vitit 2007 rezulton se është hapur një rrugë, e cila shërben si rrugë kalimi për banorët të cilët banojnë pas truallit objekt auditimi.
– Në vitin 2011 rezulton se një subjekt privat ka fituar të drejta pronësie mbi sipërfaqen 29 m2, me anë të procesit të legalizimit. Kjo sipërfaqe është certifikuar në favor të subjektit privat në vitin 2017.
– Në vitin 2019 rezulton i lëshuar një vendim “Për kalimin në pronësi të objektit të ngritur para dt. 10.8.91 dhe të truallit të tij funksional”, me anë të së cilit janë fituar të drejta pronësie mbi truall.
Nisur nga kjo situatë e cila rrezikon tjetërsimin e kësaj prone të lakmuar në Lungomaren e Vlorës duke nxjerrë fëmijët e sëmurë në rrugë, KLSH ka urdhëruar marrjen e masave për nisjen e procedurave që kjo pronë ti shkojë bashkisë si aset, ashtu siç e parashikon ligji. “Bashkia Vlorë (drejtoria e pronave publike dhe menaxhimit të aseteve) të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për përditësimin, inventarizimin, transferimin dhe regjistrimin e ndërtesës dhe truallit në pronësi të saj”, thuhet në deklaratë.
Ky është skandali i dytë radhazi për qendrën e PAK. Më herët u zbulua se në këtë qendër iu shërbehej fëmijëve ushqime të skaduara dhe të pakontrolluara.