Sot mëngjesi ishte i qetë në veri të Kosovës, pas konfliktit të mbrëmshëm mes pjesëtarëve të KFOR-it dhe serbëve në Zveçan, raporton Tanjug.
Në komunat Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq nuk ka pasur incidente gjatë natës dhe është shtuar numri i pjesëtarëve të KFOR-it.
Ushtarët janë rreth objekteve komunale atje, ku qytetarët kanë protestuar dje, por edhe rreth objektit komunal në Mitrovicë.
Është shtuar prania e pjesëtarëve të KFOR-it në rrugët hyrëse të të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës dhe forcat speciale janë ende në ndërtesat e këtyre katër komunave.
Protestat e serbëve janë ricaktuar për sot në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kërkesa e tyre është tërheqja e forcave speciale nga veriu i Kosovës, si dhe mos ardhja e kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë për të punuar në komunat me shumicë serbe në zgjedhjet ku serbët nuk kanë marrë pjesë.
Policia e Kosovës ka vlerësuar sot se situata në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan është e qetë, por e brishtë, transmeton Tanjug, duke iu referuar gazetës Koha.
Policia thekson se përfshirja e saj në garantimin e sigurisë gjatë protestave në qytetet e veriut të Kosovës vazhdon në koordinim me KFOR-in.
Agjencia Beta, referuar RTK2, raporton se kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut sot nuk do të shkojnë në zyrat e tyre.
Shtohet se nata në Zveçan ka kaluar e qetë dhe sot rreth njëqind qytetarë janë mbledhur sërish para ndërtesës së komunës, por nuk ka pasur asnjë incident.
Ata sërish kërkojnë që kryetarët e sapozgjedhur të mos hyjnë në objektin e komunës dhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu që KFOR-i të marrë kontrollin e objekteve.
Para komunës mëngjesin e sotëm janë vendosur edhe pjesëtarë të KFOR-it, me faktin se e kanë zhvendosur kordonin rreth 50 metra nga ndërtesa e komunës, ku ende ndodhen pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, raporton Beta.
Para ndërtesës së komunës në Leposaviq aktualisht janë mbledhur disa qindra qytetarë dhe situata është e qetë, raportojnë mediat.
Pjesëtarët e kontingjentit italian të KFOR-it dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës sigurojnë objektin e komunës në qendër të Leposaviqit.
Në dhunën e djeshme, e cila nuk u provokua, janë lënduar 30 paqeruajtës, thuhet në deklaratën e mëngjesit të sotëm të KFOR-it, duke shtuar se në Zveçan janë lënduar 19 ushtarë nga hungarezët dhe 11 nga kontingjenti italian.
“Tre ushtarë hungarezë janë plagosur nga armët e zjarrit, plagët e tyre janë jashtë rrezikut për jetën”, thonë nga KFOR-i dhe shtojnë se ushtarët e tjerë kanë pësuar fraktura dhe djegie nga eksplozivët e improvizuar.
Më tej thuhet se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka shtuar praninë e tij në katër komuna në veri të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin zyrat e tyre.
Komandanti i misionit, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia shprehu solidaritetin e tij me të plagosurit.
“Për të shmangur konfliktet dhe për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan rrezikimin e jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm në vend që të fshihen pas tregimeve të rreme”, theksoi ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një fjalim të jashtëzakonshëm mbrëmë tha se në përleshjet janë lënduar 41 ushtarë të KFOR-it, kryesisht nga kontingjentet hungareze dhe italiane dhe mbi 50 serbë, tre prej të cilëve janë plagosur rëndë.
Vuçiq akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për provokim të konfliktit.
Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali italian Angelo Michele Ristuccia tha se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme.