Kësaj radhe mund të flisja nga vendi pa ngritur dorën, sepse mendimet i kisha veçse në kokë.
Kisha harruar si çdo vit që sot është 7 marsi. Hera-herës me dashje ndoshta.
E jo prej mësuesit se sa institucionit që më mësoi edukatën dhe më çedukoi mësimet.
Mësimi i parë ishte se nxënësit e mirë janë të preferuarit e (zyshës), krahu i djathtë dhe syri që s’bëhej qorr për ata të cilët bënin rolin e fëmijëve dhe jo skllevërve të dijes.
Çedukimi i parë është se ky mësim do të vlente vetëm brenda kujtimeve të mureve dhe klasës.
Mësimi i dytë ishte se formimi i përgjithshëm do të na përgatiste për situata ku dija do të ishte e volitshme nëse do të shtrihej sa gjerë-gjatë.
Çedukimi i dytë është se kemi jetuar shumë gjatë duke u fokusuar në gjëra që na thonë se mund t’i mësojmë, kur fëmijët mund të kishin dedikuar rritjen e tyre ndaj lëndëve që me të vërtetë pëlqenin dhe kishin prirje.
Mësimi i tretë ishte ekzistenca e “nxënësve të pashpresë” që krahasoheshin me skllevërit e dijes dhe për të cilët fati nuk kishte rezervuar asgjë përveçse punëve të krahut dhe stërmundimeve në një moment të dytë.
Çedukimi i tretë është se fëmijët vijnë nga familje me kushte të pabarabarta ekonomike, sociale dhe kulturore, gjë që prek në mënyrë të tërthortë presionet nga të dyja anët e rritjes: familjare dhe shoqërore (institucionale).
Mësimi i katërt ishte se nuk duhet të vraponim asnjëherë në korridoret e shkollës, pasi e ecura tregonte siguri dhe maturi.
Çedukimi i katërt është se njerëzit vrapojnë për të kapur secilin orar të përditshmërisë që lëviz prej vonesave të paparashikuara.
Mësimi i pestë ishte se dija do të qëndrojë me njeriun dhe urtësia vjen me shterimin e librave dhe bibliotekave.
Çedukimi i pestë është se vjen një moment që njeriu nuk është më i fokusuar te nxënia se sa te ushtrimi i aftësive të reja, të cilat të sigurojnë të ardhura shtesë në fund të ditës.
Mësimi i gjashtë ishte se mësuesja ishte prindi i dytë për fëmijën.
Çedukimi i gjashtë është se për ata fëmijë që kishin pasur fëmijëri të vështirë, “zysha” ishte mundësia reale për të pasur një figurë që të mësonte vlerat para kapitujve të librit.
Mësimi i shtatë ishte se në fund të shkollës ne do të bëheshim dikushi me premisën që kishim shpenzuar orë të panumërta me mikun më të mirë të njeriut “librin”.
Çedukimi i shtatë është se në fund të shkollës, niste shkolla e vërtetë që ishte po prapë e vërteta e jetës dhe ballafaqimi me ata njerëz që nuk kishin shpenzuar orë të panumërta me librin por me mikun e tyre më të mirë “veten”.
Shtatë mësime mbaj mend vetëm, dhe po mësoj të çedukohem dita-ditës.