Ishte 4×4 dhe e ka kthyer në 6×6. Bëhet fjalë për një makinë unike në llojin e saj që ka krijuar Ermal Isufi, me profesion inxhinier.
Makina, në fakt, është bashkim i dy të tillave në një të vetme dhe është krijuar një mjet me 6 rrota. Sipas Isufit, i është dashur një vit për ta studiuar dhe 4 muaj për ta ndërtuar.
“Ka qenë 4×4 dhe e kemi kthyer 6×6. Një vit që e kam studiuar dhe 4 muaj për ta ndërtuar… Pashë një video, është një kompani që prodhon në Amerikë dhe e bëra dhe unë një…Pak detaje atyre, pak e studiova dhe arrita ta bëj”, ka thënë Ermali.
Për ndërtimin e makinës, Isufin e ndihmoi më shumë periudha e karantinës. Ai pohon se mjeti kushton 150-170 mijë euro dhe se ka pasur shumë oferta.
“Kjo ka një vlerë 150-170 mijë euro. Kanë ardhur 4 zviceranë, më kanë ofruar ofertë atje, por nuk më kanë interesuar, bashkëpunim të prodhojmë. Dua ta ndërtojmë çdo gjë këtu, ikën njëri, ikën tjetri, kush do ngelë”, thotë i riu.