Një zjarrfikës në Berat ka rënë në prangat e policisë pasi është kapur duke shitur lëndë narkotike. Bëhet fjalë për të riun e identifikuar me inicialet E. SH., 22-vjeç. Arrestimi i tij u krye pasi gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në automjetin Honda Civic që drejtonte, u gjetën 13 doza kokaine dhe një peshore elektronike, si dhe dy aparate telefonike celularë, një kartëmonedhë me prerje 50 euro dhe 1000 lekë.
Gjithashtu, referuar njoftimit të policisë, iu gjetën në shtëpi dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri “Çifte” dhe dy aparate telefonikë celularë.
Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.