Shqipëria, padyshim, ka qenë këtë vit më shumë se asnjëherë tjetër në qendër të vëmendjes së mediave të huaja që e promovojnë atë si një destinacion turistik.
Po të shumtë kanë qenë bloger dhe influencer që kanë vizituar disa nga pikat më të lakuara të vendit, duke ofruar për sytë e qindra miliona njerëzve që i ndjekin anekënd globit, copëza nga eksperienca e tyre.
Ky masivitet marketimi i Shqipërisë ka anën e vet të mirë, duke i dhënë një tjetër nivel vëmendjeje ofertës turistike të vendit, ashtu siç ka edhe anën negative.
Të huajt që po na vizitojnë, në rritje të dukshme këtë vit, ku vetëm në qershor ishin 1 milion shtetas që hynë në territorin shqiptar, i besojnë shumë institucionit të “përshtypjeve”.
Në platforma ndërkombëtare që funksionojnë prej vitesh, turistët gjejnë informacionin më të sinqertë, për të krijuar idenë mbi atë që duhet të presin. Ky sinqeritet ka krijuar edhe një nivel të lartë besueshmërie dhe Shqipëria e ka gjetur veten këtë vit mes dy ekstremeve.
Interneti është i pamëshirshëm dhe lumi i komenteve negative mbi përvojat në Shqipëri nuk ka fund, ashtu sikurse ka edhe komente të shumta pozitive për atë se çfarë ofron ky destinacion turistik.
Por cilat janë ankesat më të zakonshme të turistëve, destinacionet më zhgënjyese sipas tyre dhe ato më të bukura në vendin tonë? Këtë herë, “Monitor” iu referua platformave në internet të lidhura me “përshtypjet” për të sjellë Shqipërinë nga optika e të huajve që na kanë vizituar dhe kritikuar.
Ksamili masakrohet për shezlongët, çmimet, mbetjet
Është e vështirë të gjesh sot një artikull për Shqipërinë dhe plazhet më të bukura të saj dhe të mungojë Ksamili. I cilësuar si “Maldivet shqiptare”, pritshmëria e turistëve që e vizitojnë është e lartë, por duket se një pjesë e mirë që e kanë vizituar atë në pikun e sezonit kanë ndryshuar mendim, duke përmbysur totalisht atë që prisnin.
Teksa në media dhe blogje, ky plazh është më i lakuari dhe imazhi ndërkombëtar i vendit, në përshtypjet e turistëve është ndoshta i vlerësuari më brutalisht. Në TripAdvisor, përdoruesi nën emrin “muratdJ1435FF” e ka cilësuar këtë si përvojën më të keqe të tij.
“Përveç detit të mahnitshëm, çdo gjë tjetër është shumë keq. Mos shpenzoni kohën tuaj të vini këtu. Ata gati sa nuk ju bëjnë të paguani dhe ajrin. Tregtarët janë inatçorë” – shprehet ai në një koment që e shoqëron me një faturë. Aty ai nënvizon se një pjatë patate të skuqura i ka kushtuar 4.5 euro dhe ketchup-i më vete, 2 euro.
Përdoruesi tjetër “Dreamer11667707888”, në një koment të 23 korrikut, e përmbledh komentin e tij nën titullin, “E shtrenjtë, e ndotur dhe plot me mashtrues”.
“Mos u besoni videove në internet. Edhe pse apartamentet janë ‘të lira’, ju do të humbni një shumë të çmendur parash në ‘restorante’ (skara me ushqim të shpejtë me cilësi të ulët në fakt).
Pothuajse të gjithë këtu do të përpiqen t’ju mashtrojnë, veçanërisht tregtarët dhe shoferët e taksive (këta të fundit vijnë te njerëzit në stacionin e autobusit, duke u thënë turistëve se autobusi është anuluar në mënyrë që ata të mund të paguajnë 30+ € për udhëtim 15-20 minutash).
Plazhet janë të mbipopulluara dhe nëse nuk paguani 25 € për shezlong, do t’ju vizitojnë rojet e sigurisë, megjithëse asnjë plazh nuk është privat. Kontrolloni fotot që kam shtuar dhe krahasojini me ato që janë paraqitur në internet”.
“NataliaV” e ka cilësuar Ksamilin si një vend të mbivlerësuar. “Shumë i shtrenjtë dhe shumë i populluar. Shezlongë 30 euro dhe në rresht të fundit. Mendoja se ishte një vend më i mirë.
Nuk është aspak familjar. Shumica e plazheve janë privatë, të ngushtë dhe pa pamje” – nënvizon ajo në një koment të 23 korrikut 2023.
“Toader. P” sjell në vëmendje ndotjen, duke e cilësuar Ksamilin si një plazh të shkatërruar me shezlongë që shkojnë deri në det. “Vendi është më i bukur në Veri. Poshtë në Jug është kaq i shtrenjtë. Unë vij nga Andaluzia, Spanjë, dhe çmimet këtu janë shumë më të larta sesa në Spanjë. Por sjellja karshi turistëve është e tmerrshme. Të shohin si një bankomat që ecën. Nuk do të vij më kurrë këtu”.
“Të paketuar si sardele” – e nis komentin e tij “Flyer53316376895”. Sipas tij, askund në plazh nuk ka hapësirë të lirë dhe shezlongët janë të vendosur në mënyrë të tillë që të bëjnë të dukesh si një sardele e konservuar, teksa muzika e lartë vjen nga të gjitha anët.
“Pjesa më e madhe e çadrave është e pamundur të mbyllen dhe nuk ka hapësirë për të lëvizur nëse dëshironi hije/diell. Nuk janë as të lira, 24 euro për 2 shezlongë (duhet t’i marrësh të dyja).
Kalova gjysmë dite këtu pasi nuk kishte asnjë mundësi tjetër për të notuar, por kurrë më. Shmangni këtë zonë të bregdetit nëse mundeni” shprehet ai.
Saranda, turistët të dyzuar mes vlerësimit dhe zhgënjimit
Ndryshe nga Ksamili, ku përshtypjet e këtij viti në faqe si TripAdvisor janë kryesisht negative, për Sarandën duket se nuk ka një qëndrim dominues.
Qyteti më jugor i vendit qëndron mes vlerësimeve maksimale për atë që ofron për turistët dhe zhgënjimit, po maksimal, në disa raste. Por cilat janë disa nga komentet më pikante që bien në sy nga turistët që kanë qenë këtë verë?
Në krye të ankesave qëndron shërbimi taksi që cilësohet skandaloz dhe abuziv.
Komentuesi Henry Worthing nga SHBA shprehet i çuditur që për 1.5 kilometra rrugë iu kërkua 1000 lekë. “Është thuajse dyfish në raport me atë që kisha paguar kudo nëpër Shqipëri për të njëjtën distancë” shprehet ai. Një tjetër komentues shprehet se taksistët nuk parapëlqejnë ta ndezin taksimetrin dhe faturojnë në grup me të njëjtin çmim.
Për shembull, për një rrugë deri në Kalanë e Lëkurësit iu tha se duhet të paguante 40 euro. Po për ankesat e taksive, një tjetër turist shprehet se në Shqipëri ka mësuar të negociojë çmimin dhe të kërkojë çmimin që në fillim, për të shmangur situata të pakëndshme ku është gjendur më parë.
Një tjetër komentues shprehet se taksitë janë manipuluese dhe se afrohen në stacionin e autobusëve duke ju thënë që nuk ka orar për të kaluar, thjesht për t’i joshur të ikin me automjetin e tyre.
Duke mos pasur orare fikse, shumë prej turistëve duket se bien pre e këtyre abuzimeve. Një tjetër komentues shprehet se Saranda është një qytet i jashtëzakonshëm që ofron ushqim të mirë, çmime të arsyeshme, plazhe të bukura dhe shërbim cilësor.
Një prej tyre, Mario Luigi, vlerëson se Plazhi i Pulëbardhës është një nga më të bukurit. “Shezlongët faturohen për 1500 lekë, por nëse bie dakord që të hash ushqimin te restoranti, bëhet ulje 500 lekë.
Ushqimi ishte i mirë” – pohon ai. Një tjetër koment i turistëve ka të bëjë me çmimet që ndryshojnë shpesh, sidomos për shezlongët, ndërkohë që një ngërç që nënvizohet edhe në qytete të tjera të vendit është përdorimi i parasë “cash”.
Komentuesit shprehen se shumica e zinxhirëve të supermarketeve të japin mundësinë e pagesës me kartë, por restorantet dhe baret parapëlqejnë paranë në dorë.
Himara dhe fshatrat e Jugut, të huajt në kërkim të thjeshtësisë autentike
Himara duket se është bërë e preferuara e një pjese të mirë të turistëve të huaj që po vizitojnë vendin tonë këtë vit. Familje që kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimi, duke e parë Shqipërinë si një alternativë më të lirë, por edhe si një eksperiencë autentike nga një vend që e njohin pak.
Pierre Christen shprehet se Himara përmbush pritshmëritë e një qyteti autentik, që ofron ndërkohë edhe mundësi për të ngrënë mirë, që nuk është krejtësisht e qetë. Sipas tij, eksperienca në Dhërmi nuk ishte dhe aq befasuese me restorante, hotele dhe bare luksoze, ku kudo vjen “era para”.
Ndërkohë “AshSB67” nga Mbretëria e Bashkuar, cilëson si një nga kulmet e pushimeve të tij në një grup me katër veta hapjen e dyerve nga vendasit për të të ofruar një përvojë të veçantë kulinarie dhe shërbimi.
Në këtë rast ai i referohet kështjellës së Himarës. “Në anë të rrugës parkuam makinën për 200 lekë dhe nisëm të ecnim drejt pjesës së gurtë.
Kishte një shënim ku thuhej ‘kafe’ por të jepte përshtypjen se po shkoje te shtëpia e dikujt, por gjithsesi vendosëm të rrezikonim, dhe ia vlejti. Na u shërbye pije, kek i bërë në shtëpi dhe lëngje të freskëta dhe soditëm peizazhin mahnitës.
Do ta cilësoja si një nga eksperiencat më interesante që patëm në këto pushime” shprehet ai. Plazhet e virgjëra ku nuk ka shumë akses janë një tjetër element që parapëlqehet nga të huajt në Jug.
Gjipeja është një nga këto destinacione, i cili vit pas viti është bërë popullor dhe ecja më këmbë për të shkuar aty zgjat rreth 35 minuta. Këtë vit, ata që kanë lexuar në forume mbi pamjen dhe eksperiencën fantastike që ofron ky plazh janë zhgënjyer nga mbetjet dhe peizazhin e trishtë të plazhit.
“Shumë larg nga fotot në internet. Përveç shezlongëve me pagesë, me çmime 20 euro një çadër dhe dy shezlongë, ka plehra kudo. Ecja drejt plazhit është e këndshme, por më besoni plazhi nuk është më mirë se disa plazhe të tjera” – vlerëson komentuesi “jeanphilippe216”.
Ndërkohë një tjetër komentuese ndan një mendim ndryshe për plazhin duke e cilësuar si mjaft të bukur, por, sipas saj, nëse do të kishte shumë turistë sikurse ndodh kur aty vijnë anije, përvoja nuk do të ishte e njëjtë.
Marrë nga Monitor