Qeveria shqiptare ka vendosur që e hëna e 13 shkurtit të jetë ditë zie kombëtare “në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian”.
Kështu bëri të ditur kryeministri shqiptar Edi Rama në median sociale “Facebook”.
Gjithashtu në njoftimin e qeverisë thuhet se kjo bëhet “në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”.
“Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shënjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, shkruan kreu i qeverisë në statusin e tij.
Numri i të vdekurve pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë këtë javë është rritur në të paktën 22 mijë e 772, sipas autoriteteve.