Diplomacia shqiptare është përplasur me homologët grekë pas lënies në burg të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri.
Fillimisht, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka u bëri thirrje homologëve të diplomacisë greke që të respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë.
“Është pothuajse e pamundur të kuptohet se si miqtë tanë të Greqisë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin nuk mund të ishin më të vështira – Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në veprimtari kriminale kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shkruan fillimisht ajo.
Sipas saj, nuk është i kuptueshëm se si fakti që është shtetasi grek e përjashton atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë.
“Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë”, u angazhua në reagimin e saj ministrja shqitpare për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë reagoi më herët përmes një njoftimi zyrtar në web-in e saj duke e cilësuar “skandaloz” vendimin e Gjykatës së Vlorës për lënien në burg
“Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme, është skandaloz. Arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk përbën shtet ligjor. Vendimi për ndalimin e kandidatit për Kryetar Bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë, qendra më e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri”, shkruan diplomacia greke.
Sipas tyre, një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Shqipërinë.
Kjo, pasi kusht i kësaj rruge evropiane “është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate”, vëren njoftimi i MPJ-së.
“Vendime si ky i sotmi që shkelin parimet e mësipërme do të thotë se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën evropiane”, përmbyll reagimin diplomacia greke.
Kujtojmë që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri, do të mbetet në burg nën akuzën për shit-blerje votash dhe dosja e tij do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme SPAK.
Gjyqi tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit publik, duke qenë se ishte edhe incidenti më i madh zgjedhor, pas disa deklaratave që Beleri kishte bërë për “helenizimin” e Himarës, në një intervistë me gazetën greke “Protothema”.