Një studim i hartuar nga UN WOMEN dhe UNICEF ka arritur në konkluzionin se Shqipëria duhet të bëjë më shumë në sigurimin e kujdesit universal për fëmijët duke i dhënë më shumë mundësi fuqizimit të grave.
Studiuesit zbuluan se gratë shqiptare shpenzojnë afro 5 orë çdo ditë për t’u kujdesur për fëmijët, familjen, gatimin dhe pastrimin.
“Në Shqipëri ndër vite, veçanërisht si pasojë e COVID-19, investimet dhe shpenzimet publike për mbrojtjen sociale janë rritur, megjithatë ato mbeten ende shumë më të ulëta se mesatarja e BE-së. UN Women punon me familjen më të madhe të OKB-së për të siguruar që Shqipëria të jetë në gjendje të investojë për të përmbushur objektivat dhe angazhimet e saj për zhvillimin e qëndrueshëm”,- tha Michele Ribotta.
Ekspertët sugjerojnë që sigurimi i kujdesit universal për fëmijët ndikon në fuqizimin e gruas.
“Së pari është i dobishëm për fëmijët. Ne e dimë nga të dhënat botërore se kur fëmijët janë në një mjedis mësimor që në fillim të jetës së tyre, performanca e tyre arsimore përmirësohet në planin afatgjatë, por ata gjithashtu bëhen qytetarë më të fortë dhe më aktivë, dhe punëtorë më të përgatitur dhe më të aftë. Po ashtu kujdesi universal për fëmijët – është thelbësor për gratë dhe fuqizimin e tyre”,- tha Michele Ribotta.