Shqipëria do të ketë së shpejti ambasadën e saj në Kiev, në kryeqytetin e Ukrainës.
Kështu njoftoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Lajmërimi erdhi një ditë para 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të triumfojë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë. Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen Euro-Atlantike”, shkroi Xhaçka në një postim në Facebook.
Që prej 24 shkurtit të vitit 2022 kur nisi pushtimi rus i ukrainës, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës.
Në kuadër të kësaj mbështetje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë 1 vjeçare si dhe krijimin e një task-force për të menaxhuar aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit që vijnë nga Ukraina.
Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe, së voni, kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.
Sipas ambasadës ukrainase në Tiranë, që nga shkurti i vitit 2022, në Shqipëri janë strehuar afërsisht 3 mijë shtetas ukrainas.