14 vite më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Më 1 prill 2009 pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit, vendi ynë u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me këtë përvjetor të rëndësishëm për shtetin shqiptar.
“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribuues për paqen dhe sigurinë”, shkruan Begaj.
Për këtë datë të shënuar ka reaguar edhe Ambasada Amerikane. SHBA nënvizon se Shqipëria, që prej anëtarësimit ka qenë pjesëmarrëse aktive në përpjekjet e mbrojtjes së përbashkët dhe stabilitetin rajonal. Po ashtu, SHBA vlerëson partneritetin e fortë me Shqipërinë.
Një reagim ka pasur edhe kryeministri i asaj periudhe Sali Berisha. Kreu i Partisë demokratike ka falenderuar ish-presidentin e SHBA George W. Bush, të cilin e quan mikun e madh të kombit. Berisha thekson se sot NATO e udhëhequr nga SHBA është mburoja më e fuqishme e paqes dhe lirisë në botë.