Martin Cooper, njeriu që shpiku celularin, mori një çmim për arritje jetësore në Kongresin Botëror të Celularëve në Barcelonë, ekspozita më e madhe tregtare në botë e komunikimeve me valë.
Duke mbajtur në duar një prototip të celularit të parë të quajtur “tulla” që shpiku 50 vjet më parë, Martin Cooper foli me optimizëm për të ardhmen e teknologjisë celulare, por gjithashtu shprehu shqetësimin për rreziqet që paraqesin telefonat inteligjentë si për privatësinë ashtu edhe për të rinjtë, sipas një raporti të Associated Press.
“Mendimi im më negativ është se ne nuk kemi më privatësi sepse gjithçka rreth nesh është e regjistruar diku dhe e disponueshme për dikë që ka një dëshirë mjaft të fortë për ta parë apo dëgjuar atë”, tha 94-vjeçari Cooper.
Përveç “erozionit të privatësisë”, Cooper shprehu shqetësimin edhe për efektet anësore ndaj të cilave janë të ekspozuar përdoruesit e smartfonëve dhe mediave sociale, si varësia nga interneti dhe aksesi më i lehtë i fëmijëve në përmbajtje të dëmshme.
Duke e përshkruar veten si një ëndërrimtar dhe optimist, Cooper shprehu shpresën se përparimet në teknologjinë e telefonave celularë kanë potencialin për të revolucionarizuar fusha të tilla si arsimi dhe kujdesi shëndetësor.