Prokuroria e Durrësit ka kërkuar pezullim nga detyra në shërbim publik dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për 9 punonjës të ish-ALUIZNI-t dhe IMT. Hetimet për këta persona ka nisur që në vitin 2021.
Nga hetimet rezultoi se në vitin 2013, punonjës të ish-Aluizni-t Durrës kanë legalizuar disa pasuri të ndodhura në komunën Xhafzotaj, pjesë të të cilave ndodhen të ndërtuara mbi pasurinë e cila ka një sipërfaqe 2 184 m2 dhe kategorizohet në regjistrin kadastral “Rrugë shteti”.
Gjithashtu, punonjës të IMT-së Shijak, me mosveprimet e tyre kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim” pasi ata kanë marrë vendime prishjeje të cilat nuk janë ekzekutuar si dhe nuk kanë depozituar kallëzime penale në lidhje me ndërtimet e paligjshme që kanë konstatuar.
Shtetasi A.K. me detyrën e Drejtorit të bordit të ndërmarrjes kanalizmieve, ka konsumuar elementet e veprës penale te “Shpërdorimit të detyrës” pasi, i ka kthyer përgjigje Drejtorisë së Aluizit Durrës, ku informonte se objekti i shtetasit F. H., nuk cenon objektet, sistemin kullues që Bordi i Kullimit Durrës –Krujë ka në inventar.
Prokuroria e Durrësit sqaron se kërkesa është bërë për shkak se 9 punonjësit e të ish-ALUIZNI-t dhe IMT-së, akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim” dhe “Moskallëzim i krimit”.