Qeveria do të shpenzojë 70 mijë euro për të siguruar një studio të lëvizshme, jo për lajme që bëjnë televizionet, por për takimet e zyrtarëve apo dhe konferenca. Sipas dokumenteve zyrtare në garë ku fondi i vënë në dispozicion ishte rreth 8 milionë lekë kanë marrë pjesë dy kompani.
Ndër to Fredi Wlektronik sipas APP nuk ka dhënë ofertë ndërsa “PROSOUND” ka kërkuar shtatë milionë e shtatëqind mijë e gjashtëqind Lekë. Detyrimisht fitues është shpallur ky i fundit duke u cilësuar oferta e suksesshme.
Por çfarë do të blihet me këto para?
Ashtu siç i keni parë në transmetimet live në Facebook kërkohet rreth 45 mikrofonë, ndër të cilët 20 do të jenë valorë, pa kabuj. Njesi mikrofoni valore që mundëson përdorimin për diskutim si anëtar, kryetar ose përdorim nga dy anëtarë njëkohësisht. Njësia duhet të ketë të integruar në trup një ekran me multi-prekje, thuhet në dokument. Po ashtu 20 mikrofonë duhet të jenë me shufer të shkurtër dhe dy të gjatë.
Seti duhet të jetë i plotësuar me bateri. Bateri, karikues per bateri dhe një antenë së bashku edhe kufjet në rast se do të jetë aktivitet me përkthim. E sigurisht kësaj i shtohen dhe valixhet e transportit. Në tender nuk mund të mungojnë kamerat ku kërkohen dy të tilla që duhet të vendosen në tavolinë së bashku me stativët, por dhe një mikser audio. Tenderi plotësohet me 1 shpërndarës video dhe një audio./Oranews