Temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeaneve botërore arriti në 21.1 gradë në fillim të prillit, që është më e larta në histori që nga fillimi i regjistrimit satelitor.
Agjencia Kombëtare Amerikane e Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) ka publikuar të dhëna nga të cilat rezulton se është thyer rekordi i mëparshëm i vitit 2016, kur në këtë periudhë të vitit temperatura e oqeanit ishte 21 gradë, shkruan Guardian.
“Trajektorja aktuale e rritjes së temperaturës së oqeanit po thyen të gjitha rekordet e mëparshme dhe shifrat duket se do të rriten edhe më shumë”, tha profesori klimatolog i Universitetit të Uellsit të Ri Jugor, Matthew England.
“Fenomeni trevjeçar i klimës La Niña po i vjen fundi”, tha studiuesi i lartë i NOAA Dr. Mike McPhaden. Sipas tij, fenomeni “La Niña” ndihmoi në ruajtjen e një temperature më të ftohtë të oqeanit pavarësisht rritjes së përqendrimit të gazrave në atmosferë që shkaktojnë efektin serë.
Kjo periudhë ka përfunduar dhe tani do të shohim sinjalet e ndryshimeve klimatike “me zë të lartë dhe të qartë”, theksoi McPhaden.
Shkencëtarët thonë se gjatë këtij viti është e mundur të pritet fenomeni klimatik “El Niño” në pjesën tropikale të Paqësorit dhe do të rriste rrezikun e kushteve ekstreme të motit dhe temperaturave të reja rekord të oqeanit.
“Shumë nga parashikimet tona tregojnë se një El Niño po vjen”, tha klimatologu nga Universiteti Monash, Profesor Dietmar Dommenget.
Nëse kjo ndodh, rekordet e reja të nxehtësisë do të thyhen këtë vit si në oqeane ashtu edhe në tokë, përfundoi Dommenget.