Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në detyrë që nga viti 2014, nuk dëshiron të zgjasë përsëri mandatin e tij përtej afatit të planifikuar për tetor, njoftoi të dielën një zëdhënëse e Aleancës Atlantike.
Në mars të vitit 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, liderët e Aleancës kishin vendosur të zgjatnin mandatin e Jens Stoltenberg deri më 30 shtator 2023.
Më pas ai u sugjerua të merrte kreun e bankës qendrore të Norvegjisë në muajt në vijim, por ai kishte hequr dorë nga ky pozicion.
Tani e tutje “ai nuk ka ndërmend të kërkojë zgjatje të mëtejshme të mandatit të tij”, deklaroi zëdhënësja Oana Lungesku. “Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm u zgjat tre herë dhe ai shërbeu gjithsej për gati nëntë vjet”. vuri në dukje ajo.
Ish-kryeministri norvegjez, i cili do të jetë 64 vjeç në mars, mori postin e kreut të Aleancës Atlantike në tetor 2014.
Shefi i parë i NATO-s që vjen nga një vend në kufi me Rusinë, mandati i tij filloi në sfondin e konfrontimeve midis Moskës dhe Kievit – tashmë – disa muaj pas aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë.
Me menaxhimin e krizës afgane dhe atë të kritikave amerikane drejtuar NATO-s nën presidencën Trump (2017-2021), nëntë vitet e tij do të jenë shënuar kryesisht nga konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës në portat e Evropës. Nën udhëheqjen e tij, NATO filloi një ndryshim të thellë për t’u përshtatur dhe për t’iu përgjigjur sfidës ruse.