Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënuan veprimet e sotme të policisë së Kosovës në komunat në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka hyrë në objektet e komunës Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok me qëllim që kryetarët e komunave, të cilët fituan zgjedhjet lokale të mbajtura së fundmi, të cilat u bojkotuan nga qytetarët e nacionalitetit serb, të marrin detyrën.
Pjesëtarë të policisë dhe njësive speciale hynë në ndërtesat e komunës së Zveçanit dhe Zubin Potokut, ku paraprakisht ishin mbledhur serbët për të penguar marrjen e komunave dhe gjatë depërtimit u hodhën bomba shokuese dhe gaz lotsjellës.
Rreth 10 persona u plagosën.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi veprimet e sotme dhe bëri thirrje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës.
“Ne dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat kontribuojnë në përshkallëzimin e tensionit në veri dhe në rritjen e destabilitetit. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që menjëherë t’i japë fund këtyre masave të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Blinken.
Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka dënuar veprimet e autoriteteve kosovare dhe ka bërë thirrje që ato të ndalen menjëherë.
“SHBA dënon veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, ka shkruar Hovenier në profilin e tij në Twitter.
Ka reaguar edhe senatori demokrat Chris Murphy, i cili ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet “menjëherë t’i japë fund provokimit”, kur është fjala për trazirat në veri të Kosovës.
“Sapo bisedova me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Cholet për këtë zhvillim shqetësues. Në takimin e së hënës në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk e përmendi planin për qasje në ndërtesat komunale. Unë si mik i Kosovës jam plotësisht i befasuar dhe ai duhet të ndalojë menjëherë këtë provokim”, ka shkruar Murphy në llogarinë e tij në Twitter.
Ai shtoi se komunat nga veriu janë pjesë e Kosovës dhe janë nën juridiksionin e Prishtinës, por se duke marrë parasysh situatën e tensionuar, ky është një hap “qëllimshëm” provokues dhe i panevojshëm.
“Po, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe nën juridiksionin e Prishtinës. Këta zyrtarë kanë të drejtë teknike ligjore për qasje në këto objekte. Por tani për tani, me një situatë kaq të tensionuar në veri, është një hap qëllimisht provokues dhe i panevojshëm”, tha Murphy.
Së bashku me senatorin amerikan Gary Peters, ai ishte në Serbi të mërkurën dhe të enjten, ndërsa paraprakisht dy senatorët kishin vizituar Kosovën.