Shtetet e Bashkuara i akordojnë Ukrainës një paketë të re mbështetjeje për mbrojtjen në vlerë prej më shumë se 3 miliardë dollarësh, e cila do të përfshijë, ndër të tjera, edhe automjetin luftarak të këmbësorisë Bradley.
Këtë e deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre në një konferencë në Washington.
Sipas saj, paketa e ndihmave do të përfshijë edhe transportues të blinduar, obus vetëlëvizës, armë raketore, municione dhe ndihma të tjera ushtarake. Kjo është paketa më e madhe e ndihmës për Ukrainën.
225 milionë dollarë nga kjo paketë janë të destinuara për modernizimin e ushtrisë ukrainase dhe zhvillimin e aftësive ushtarake për një afat të gjatë.
Si pjesë e kësaj pakete, SHBA do të ndajë 682 milionë dollarë për vendet e krahut lindor të NATO-s për blerjen e armëve.
Më 5 janar, pas bisedës midis udhëheqësve të SHBA-së dhe Gjermanisë, Joe Biden dhe Olaf Scholz, u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara synojnë t’i ofrojnë Ukrainës automjete luftarake të këmbësorisë Bradley, dhe Gjermania planifikon të transferojë automjete të blinduara Marder.
Për më tepër, Gjermania, pas Shteteve të Bashkuara, do të furnizojë Ukrainën me një bateri shtesë të sistemit të mbrojtjes kundër raketave Patriot.