Shtëpia e Bardhë ka emëruar biznesmenin indiano-amerikan Ajay Banga për president të Bankës Botërore, një javë pas informacionit për largimin e presidentit aktual, David Malpass.
Banga (63), një zyrtar i lartë i fondit amerikan të investimeve kapitale General Atlantic dhe Holding Exora nga grupi i Agnelli, ishte kreu i grupit të shërbimeve financiare të Mastercard.
“Për më shumë se tre dekada, ai ndërtoi dhe drejtoi kompani globale”, shtoi Biden dhe theksoi se Banga “ka përvojën dhe njohuritë e nevojshme për të përballuar sfidat më të mëdha të kohës sonë, ndër të cilat është ngrohja globale”.
Ndonëse ende nuk dihen arsyet e largimit të tij, David Malpass, përndryshe i afërt me ish-presidentin amerikan Donald Trump, u kritikua për mungesën e një qasjeje proaktive në lidhje me ndryshimet klimatike.
Që nga themelimi i Bankës Botërore pas Luftës së Dytë Botërore, presidenti i saj ka qenë gjithmonë një amerikan dhe sipas marrëveshjes së heshtur të fuqive perëndimore, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka qenë gjithmonë dikush nga Evropa.
Duke propozuar Banga-n, Shtëpia e Bardhë zgjodhi një person që jo vetëm ka lindur, por edhe i arsimuar jashtë SHBA-së, në këtë rast në Indi, që është rasti i parë i tillë.
Prej disa vitesh, fuqitë ekonomike në zhvillim si Kina, India, Rusia dhe Brazili kanë dashur të marrin një rol më të fortë në institucionet financiare ndërkombëtare.
Procesi i emërimit të presidentit të ri të Bankës Botërore filloi vetëm pak ditë pasi presidenti aktual, David Malpass, njoftoi largimin e tij të planifikuar në fund të qershorit.
Zgjedhja e presidentit të ri të Bankës Botërore pritet në fillim të majit.