Shtetet e Bashkuara dënojnë incidentet e dhunshme të ditëve të fundit në veri të Kosovës, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për shërbimin serb të Zërit të Amerikës.
Komentet e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit pasojnë incidentet e dhunës në veri të Kosovës, ku të enjten një polic u plagos lehtë në një sulm me armë.
Tensionet në veriun e Kosovës u rritën me afrimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veriun e vendit.
Gjatë javës grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.
“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet.”