Pasi sirenat kanë rënë në katër komuna në veri të Kosovës, dhe qytetarët janë grumbulluar rreth objekteve komunale dhe kanë penguar policët e Kosovës të hyjnë në to, policia e Kosovës ka njoftuar se po i ndihmon kryetarët e sapozgjedhur që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të punuar në objektet zyrtare komunale.
Siç raporton RTS, në Zveçan janë dëgjuar të shtëna dhe është djegur një veturë e policisë.
Situata është përshkallëzuar pas një diskutimi në mes të qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Zveçan dhe ka pasur të shtëna.
Në njoftimin e policisë, thuhet se në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese, policia ndërmerr masa të sigurisë, rendit dhe sigurisë publike.
“Policia e Kosovës po ndihmon kryetarët e komunave veriore të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të punuar në objektet e zyrtarëve të këtyre komunave”, thuhet në njoftimin e përcjellë nga Tanjug.
Pak më vonë, Tanjug, duke iu referuar gazetarit të tij, raportoi se policia e Kosovës ka hyrë në objektin e Komunës së Zveçanit, pasi paraprakisht ka gjuajtur gaz lotsjellës dhe granata trullosëse para objektit ku ishin mbledhur qytetarët, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna.
Tanjug pretendon se forcat speciale kanë bllokuar qytetin, të gjitha qasjet dhe daljet prej tij, dhe se automjetet e blinduara dhe njësitë speciale të policisë janë para ndërtesës së komunës.
Kryetarët e rinj të komunave të Zubina Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit bënë betimin solemn të enjten, pasi kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ishte i pari që e bëri këtë më 19 maj.
Ata u zgjodhën në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.
Pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.
Vuçiq nënshkroi urdhrin për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Ushtrisë Serbe në nivelin më të lartë dhe urdhëroi që të lëvizin menjëherë drejt kufirit me Kosovën.