Gati 200 vende u mblodhën për konferencën e OKB-së për klimën në Egjipt e cila zgjat deri në datën 18 nëntor. Udhëheqësit botërorë u përshëndetën teksa mbërritën në qendrën e konferencave në Sharm El Sheikh nga presidenti i Egjiptit Abdel Fattah Al-Sisi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres.
Udhëheqësit pritet të diskutojnë kompensimin e kombeve të varfra duke e vendosur temën e diskutueshme në rendin e ditës për herë të parë që nga fillimi i bisedimeve për klimën. Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi, mbajti fjalim hapës në koherencë teksa i bëri thirrje vendeve që të punojnë së bashku për të trajtuar një nga çështjet më emergjente me të cilat përballet planeti.
‘‘Njerëzit në mbarë botën duan zbatim të shpejtë dhe konkret të veprimeve për të reduktuar emetimet për të garantuar financimin për vendet në zhvillim që sot po vuajnë më shumë se të tjerët nga pasojat e këtyre krizave. Egjipti ka vendosur synime ambicioze për ndryshimin e klimës dhe është i vendosur të përshpejtojë përdorimin e burimeve të gjelbra. Zbatim, zbatim dhe vetem zbatim’’ ,- presidenti i Egjiptit Abdel Fattah El-Sisi.
Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, ka postuar në Twitter në lidhje me takimin e saj me kryeministrin britanik Rishi Sunak.
“Ne përballemi me shumë sfida të përbashkëta, nga trajtimi i ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni i energjisë te lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Unë pres një bashkëpunim konstruktiv BE-Britani bazuar në marrëveshjet tona’’, u shpreh Von der Leyen.
Ndërkaq ish-kryeministri britanik Boris Johnson përmend luftën kundër Ukrainës si një faktor të madh në ngadalësimin e progresit kundër ndryshimit të klimës.
‘‘Unë mendoj se Glasgow ishte një pikë e lartë për luftën kundër ndryshimit të klimës. Pastaj, tre muaj më vonë, ne patëm katastrofën morale dhe njerëzore të pushtimit të Ukrainës nga Putin. Besoj se lufta kundër ndryshimeve klimatike ka shkaktuar viktimat më të mëdha’’, Johnson.
OKB ka deklaruar se përparimi në uljen e emetimeve që shkaktojnë ngrohjen globale ka qenë i pamjaftueshëm. Planeti tashmë është ngrohur 1.1 °C që nga koha para-industriale dhe shkencëtarët thonë se rritja duhet të kufizohet në 1.5 °C deri në vitin 2100 për të shmangur ndikimet më të këqija. Por ekspertët parashikojnë se vazhdimi i politikave aktuale do të çonte në një rritje deri në 2.8 °C këtë shekull.