Historiografia nacional-komuniste akuzoi për pesëdhjetë vjet rresht ish-mbretin Ahmet Zogu për “vjedhje të thesarit”.
Dhe së fundmi një dokument njoftonte se Zogu kishte marrë me vete në Greqi 250 mijë napolona. Por sa vlejnë këto para në kohën tonë?
Ari ka një vlerë materiale dhe një vlerë mistike dhe kjo e fundit shërben shumë për propagandë.
Vlera e arit sot është dukshëm më e ulët se sa ka qenë historikisht, sepse që nga vitet 1970, bota filloi të përdorte paratë fiat, të cilat e lanë arin si një material dekorativ të vlefshëm, por pa një rol monetar.
Së fundmi, Arkivi i Shtetit Shqiptar ka publikuar në faqen e tij në Facebook një dokument ku shkruhet se ish-mbreti Ahmet Zogu, në momentin e largimit nga Shqipëria në vitin 1939, kishte me vete një sasi prej 250 mijë napolona ari.
Dokumenti është hartuar nga një zyrtar i kohës, i cili i referohet “burimeve të sigurisë” për të raportuar se sipas informacioneve të tij, pala greke kishte gjetur kaq shumë para në portofolin e Zogut në kohën kur ai kaloi në Greqi për t’u arratisur nga Italia fashiste. që zbarkoi në Shqipëri.
Duke lënë mënjanë pyetjen se sa i besueshëm është ky burim informacioni, pyetja është se si mund të kuptojmë shifrën prej 250 mijë Napoleonësh.
Napoleoni është një monedhë ari me peshë 6,42 gram dhe pastërti 900 për mijë ose 21,6 karat.
Napoleoni ka qenë monedha bazë e një numri vendesh që ishin pjesë e një aleance të njohur si Unioni Monetar Latin, ku morën pjesë Franca, Italia, Belgjika dhe vende të tjera.
Kjo do të thotë se të gjitha 250 mijë napolona ishin të barabartë me afro 1450 kilogramë ar, që sot në tregun ndërkombëtar kushton afërsisht 80 milionë euro.
Krahasimi me sot nuk ndihmon shumë sepse ari në atë kohë ishte valuta bazë dhe për këtë arsye shumë e rëndësishme dhe e çmuar, ndërsa sot ari është kryesisht material për bizhuteri dhe nuk është më aq i çmuar.
Napoleoni është në fakt një pseudonim popullor. Emri zyrtar i kësaj monedhe ishte 20 franga, ose 20 lireta. Pra, një napoleon ishte i barabartë me 20 franga ose 20 lira.
Franga ishte valuta e të ardhurave nga taksat dhe shpenzimet buxhetore në shtetin shqiptar të paraluftës deri në vitet 1950.
Për shembull, buxheti i shtetit për vitin fiskal 1937-’38 parashikonte të ardhura dhe shpenzime në masën 26 milionë franga.
Nëse supozojmë se Zogu ka marrë me vete 250.000 napolona, ose 5 milionë franga, kjo do të thotë se në momentin e largimit, ai kishte afërsisht 20% të buxhetit vjetor të vendit.
Nëse e transpozojmë këtë në situatën e sotme, ku të ardhurat buxhetore janë afërsisht 5 miliardë euro në vit, atëherë mbreti i sotëm duhej të largohej me afërsisht 1 miliard euro me vete për të konkurruar me Zogun.
Zogu drejtoi Shqipërinë nga viti 1925 deri në 1939, afërsisht 13 vjet, sa gjysma e mandatit të Berishës dhe mandati i plotë i Ramës ose anasjelltas, mandati i plotë i Berishës dhe gjysma e mandatit të Ramës.
Gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, buxheti i shtetit shqiptar ka pasur të ardhura totale prej afro 44 miliardë eurosh.
Nëse Shqipëria do të drejtohej nga një mbret, që ai mbret të fitonte në fund aq para sa gjoja mori me vete Zogu, atëherë do t’i duhej të përvetësonte afërsisht 2.3% të të gjitha të ardhurave.
Duke pasur parasysh nivelin e korrupsionit në vend, kjo nuk duket shumë e pamundur.