Një shqiptar u arrestua në Austri, pasi përgjatë 10 viteve ushtronte dhunë fizike ndaj gruas së tij dhe dhjetë fëmijëve. Shqiptari shkonte vazhdimisht në një kazino në Republikën Çeke dhe mbyllte familjen me çelës në shtëpi.
Nëse gjërat shkonin keq dhe ai humbiste paratë në kazino, atëherë përdorte si “mjet” dhunën. Tashmë burri 42-vjeçar është arrestuar dhe është vënë përpara drejtësisë austriake. Përveç dënimit me burg, një ekspert kriminalistike ka kërkuar që shqiptari të testohet edhe nëse është i aftë mendërisht. Autori ka thënë se akuzat ndaj tij nuk janë të vërteta.
“Unë jam njeri normal. Asnjëra nga akuzat ndaj meje nuk është e vërtetë”, tha 42-vjeçari.
Vajza e të arrestuarit ka thënë se e kanë kaluar gjithë jetën vetëm në shkollë dhe në shtëpi. Në gjykatë është sjellë një dëshmi sesi ai kishte dashur të vrasë gruan. Kur gruaja e tij po bënte dush, 42-vjeçari ka prerë kabullin. Më pas kabullin që qëndronte në prize, ai ia ka afruar në lëkurën e lagur. Fatmirësisht, ndërprerja e energjisë elektrike i shpëtoi jetën gruas së dhunuar.