Rusia ka informuar Shtetet e Bashkuara për qëllimin e saj për të kryer stërvitjet vjetore Grom me përdorimin e forcave strategjike bërthamore.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder e tha këtë në një konferencë të martën.
“Po, SHBA-të janë njoftuar. Siç e theksuam më herët, këto janë stërvitje rutinore vjetore ruse. Në këtë drejtim, Rusia është në përputhje me detyrimet e saj në lidhje me kontrollin e armëve dhe transparencën. Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë,” tha ai.
Stërvitja e fundit bërthamore ruse “Grom” u zhvillua në shkurt 2022 – më pak se një javë para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Ato përkojnë aktualisht me stërvitjen vjetore të parandalimit bërthamor të NATO-s, “Steadfast Noon”, e cila zhvillohet nga 17 deri më 30 tetor, dhe me akuzat e Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një “bombë bërthamore”.
Siç është raportuar, në sfondin e retorikës më aktive të Rusisë rreth përgatitjes së pretenduar të Ukrainës për një provokim të “bombës së pistë”, Shtetet e Bashkuara nuk shohin ndonjë shenjë të re të përgatitjeve të Rusisë për një sulm bërthamor.