Dy rusët dhe ukrainasi i arrestuar një ditë më parë nga policia në Gramsh pasi tentuan të futen në uzinën e armëve, dyshohet se kishin të paktën tre ditë që qëndronin në këtë zonë. Banorët kanë deklaruar për ‘News 24’ se mjeti ka lëvizur vazhdimisht në Gramsh por duke qenë një periudhë kur kthehen emigrantët nuk kanë menduar se kishin të bënin me shtetas të huaj.
Mikail Zorin, 24 vjeç me pasaportë ruse, që mbante në shpinë një çantë sportive hyri në ambientet e jashtme të uzinës dhe në momentin që tentoi të futej në drejtim të uzinës, që është jashtë funksionit, është pikasur nga ushtarët. Ushtarët si fillim i bënë thirrje që të ndalohet, ndërkohë që i riu rus dhe nuk i është bindur urdhrit dhe ka tentuar që të largohet.
Jashtë rrethimit të uzinës ai pritej në automjet nga dy miqtë e tij Svetlana Timofoeva dhe 25-vjeçari me inicialet F.A, ukrainas, që drejtonte makinën Chevrolet. Ky i fundit ka qenë edhe më herët në vendin tonë, më shumë se një vit më parë ku ka ndarë edhe foto në rrjetet sociale.