Të dhënat e fundit nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave tregojnë se rruga e re Korçë-Ersekë me gjatësi 35 kilometra do të kushtojë 8,6 miliardë lekë ose 72 milionë euro.
Projektet fillestare për ndërtimin e këtij segmenti nuk ishin më shumë se 35 milionë euro ose 1 milionë euro për kilometër.
Sipas të dhënave zyrtare që burojnë nga dokumentet e prokurimeve rruga do të ketë një gjatësi të përgjithshme 35 kilometër me shpejtësi lëvizje 60-80 kilometër në orë, duke e shkurtuar distancën ndërmjet Korçës dhe Ersekës në vetëm 20 minuta.
Ndërkohë By-passi i Fierit me gjerësi 22 metra dhe gjatësi 22 kilometër ku shpejtësia e lëvizjes është 120 kilometër ka kushtuar 60 milionë euro (financim i huaj).
Intensiteti i punimeve për të përmirësuar infrastrukturën periferike të vendit po bëhet në një kohë që qendra e vendit po vuan nga mungesa e infrastrukturës, teksa rrugët ekzistuese janë në gjendje të mjerë nga demet që krijon lëvizshmëria e lartë e mjeteve ë këto akse.
Akse rrugore Fushë -Krujë -Tiranë, Tiranë -Durrës (autostrada dhe rruga dytësore e Ndroqit) përveçse janë të mbingarkuara me trafik janë plot gropa që shpesh bëhen shkak për aksident.
Gjithashtu rrugët që lidhin Aeroportin e Rinasit me pjesën tjetër të vendit nuk i përgjigjen fluksit të lëvizshmërisë. Sakaq qeveria i ka përqendruar financimet në Tunelin llogarisë, në rrugën Kardhiq -Delvinë, Qukës-Qafthanë dhe Ersekë -Korçë, ku kjo e fundit po kthehet në një gropë thithëse për fondet buxhetore, pavarësisht se ka vetëm rendësi turistike.
Qeveria ka kontraktuar kompaninë ANK për të ndërtuar 4 kilometra të aksit Ersekë-Korçë nëpërmjet lotit 2 të punimeve me vlerë 21 milionë euro. Rruga është e kategorisë C dhe nuk ka tunel, por kostot e ndërtimit të lotit të dytë i kanë kaluar të 5 milionë eurot për kilometër.
Ekspertët e sektorit rrugor pohojnë se rruga Korçe -Ersekë nuk justifikon rëndësinë strategjike për investimin që ka marrë.
Aksi aktual rrugor Korçë-Ersekë ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra vetëm 20 minuta.
Qeveria ka argumentuar se, ndërtimi i tij do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka.
Deri më tani qeveria ka financuar 3.1 miliardë lekë për ndërtimin e këtij segmenti, teksa nevojiten për përfundimin e të gjitha punimeve edhe 5,4 miliardë lekë të tjera.
Kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri janë bërë problematike vitet e fundit, teksa Sekretariati i Komunitetit Europian i Transportit e vlerësoi problematike çështjen e kostove të ndërtimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri në një raport të fundit./monitor