Shqipëria shënjestrohet sërish si një nga vendet e Ballkani Perëndimor që strehon rrjete kriminale që mbajnë vendin e parë në tregjet rajonale të drogës.
Kësaj here, vendi është pjesë e listës së dalë nga raporti i Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga (EMCDDA).
Në raport ravijëzohet se rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor janë bërë aktorë kryesorë në tregjet rajonale dhe të Bashkimit Evropian të drogës.
Dhe si një nga arsyet e përshpejtimit të këtyre rrjeteve kriminale në tregjet rajonale është përmendur pozicioni strategjik gjeografik.
Referuar raportit, pozicioni strategjik gjeografik i vendeve si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, kombinuar me kërkesën e lartë për drogë, kanë përshpejtuar operacionet e grupeve kriminale.
Sakaq, për kërkesën e lartë për drogë, raporti ka përmendur Bashkimin Evropian dhe Turqinë.
“Disa vende të BE-së janë të vendosura në rrugë trafikimi që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor përpara se të rihyjnë në BE”, thuhet në raportin e EMCDDA.
“Çka do të thotë se flukset e trafikimit mund të jenë komplekse”, ka vijuar raporti, i cili është pjesë e një studimi më të madh rajonal të kryer midis viteve 2019 dhe 2022.