Bordi i Transparencës ka njoftuar çmimet e reja për shitjen e karburanteve në vend. Nga 199 lekë për litër, çmimi i naftës është rritur dhe do të shitet jo më shumë se 208 lekë, benzina nga 177 lekë për litër do të shitet me 198 lekë për litër. Ndërsa çmimi i gazit mbetet i pandryshuar, 71 lekë për litër.
“Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 16.1.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 842, +116 nga data 19.12.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 937, +82 nga data 19.12.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 107. 99 (-0.27 nga data 19.12.2022).
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 114 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 17 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes”, thuhet në vendim.
Ky është njoftimi i parë për këtë vit në lidhje me çmimin e karburanteve, pasi njoftimi i fundit ka qenë ai më 20 dhjetor. Është folur se Bordi do të shkrihet, por ende nuk ka një datë konkrete se kur do të ndodhë, e ndërsa ka shumë akuza edhe nga opozita se Bordi nuk i shërben më qytetarëve, por interesave të oligarkëve lidhur me qeverinë.