Nga të dhënat paraprake të Eurostat për periudhën janar- gusht 2022 janë regjistruar gjithsej 6,860 aplikime për azil në BE nga shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, në raport me 2019-n, aplikimet mbeten 41% më të ulëta.
Sipas Monitor shtetet me aplikimet më të larta mbeten Franca, me 46% të aplikimeve totale për 8-mujorin dhe Gjermania, me 12%. Dëshira e shqiptarëve është më e larta në Europë edhe në krahasim me Ukrainën që është në luftë. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në gusht aplikimet për azil nga shqiptarët ishin gati 1100, ndërsa të Ukrainës në korrik (e dhëna e fundit e disponueshme) ishin 950. Për më tepër që Ukraina ka një popullsi prej 43 milionë banorësh, ndërsa Shqipëria ka zyrtarisht rreth 2.8 milionë banorë.
Sipas Eurostat, në korrik 2022, 66.545 aplikantë për azil për herë të parë (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 265 persona më shumë se në qershor 2022, që, në terma relativë, do të thotë një rritje mjaft e vogël prej 0.4%. Krahasuar me korrikun 2021 (44,760), ka pasur një rritje prej 49% në numrin e përgjithshëm të kërkesave.