Dy persona janë vënë nën hetim dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga policia e Matit, për shkak se akuzohen se kanë dhunuar përgjegjësin e Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Mat. Mësohet se procedim penal ka nisur për Sokol dhe Erik Rami, babë e bir ndërsa në kërkim është shpallur, Arkilajd Metra.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 7 Maj, rreth orës 22:00, në qytetin e Burrelit, kanë goditur me grushte dhe me mjete të tjera, për shkak të detyrës, Herjon Senajtin, i cili ka pësuar dëmtime të lehta fizike. Si pasojë e këtij konflikti, ka mbetur i dëmtuar edhe Ermal Sena 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.
Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra, ka rezultuar se Sokol Rami i ka kërkuar më parë, Herjon Senajtit, që t’i regjistronte një emër të tij, një pronë e cila ishte në proces gjyqësor.
Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat dhe është marrë në pyetje mbi rrethanat e këtij konflikti, edhe një person tjetër me iniciale, A. D., i cili pas dhënies së deklarimit, është lënë i lirë. Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.