Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka për bashkimin e dosjeve të inceneratorit të Fierit dhe të Elbasanit. Gjyqet për këto çështje do të vijojnë të ndara, pavarësisht pretendimeve të avokatëve se çështja është në të njëjtën fazë dhe të pandehurit janë pothuajse të njëjtë. Koka është me dy masa sigurie “arrest në burg” për dy inceneratorë, atë të Elbasanit dhe të Fierit, për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion.
Të pranishëm në seancën e sotme paraprake për inceratorin e Elbasanit ishin edhe vetë ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe deputeti socialist, Alqi Bllako.
Avokati Saimir Visha, u shpreh se çështja e inceneratorit të Elbasanit duhet të rikthehet për plotësim të hetimeve si dhe të pyetet ish zëvendës kryeministri, Arben Ahmetajt.
“Ne kërkojmë që çështja të rikthehet në hetim për t’u pyetur Arben Ahmetaj. Sepse këtu po gjykohen viktimat. Se kuptoj sesi und gjykohet dy herë i njëjti fakt. Edhe paratë e lënë për ruajtje nga shefja e kabinetit, se vjedhje s’është ajo, duhet të kalojnë në favor të shtetit dhe të kalojnë për pastrim produkti me këtë procedim penal.”- tha avokati Saimir Visha.
Seanca është shtyrë për t’u zhvilluar në datat 1 dhe 2 shkurt, ku në datën 1 do gjykohet inceneratori i Fierit dhe në datën 2 ai i Elbasanit.