Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë bashkuar votat dhe kanë vendosur dërgimin në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Rrugor. Pas diskutimeve në Komisionet parlamentare, ditën e sotme u dha drita jeshile te ‘Veprimtaria Prodhuese’ propozimeve të bëra fillimisht nga Enkelejd Alibeaj dhe më pas të “përqafuara” edhe nga Taulant Balla.
“Në fund të fundit, kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë rrugore në tërësi, natyrisht, edhe ndihmën për qytetarët shqiptarë për t’i shkurtuar procedurat burokratike në pajisjen me leje drejtimi”, tha Balla.
“Të gjithë anëtarët e komisionit e kanë marrë porosinë për ta parë në linjë, që t’u shërbejë dhe t’u krijojë lehtësira sa më komode qytetarëve shqiptare jashtë dhe brenda. Kështu që është në dorën e kryetarit dhe të nënkryetarit që të procedojnë me shpejtësi brenda Rregullores. Ky është meraku që kemi pasur ne”, është shprehur Alibeaj.
Çfarë pritet të ndryshojë?
Nisma ligjore parashikon që punonjësit e policisë mund të ngrenë postblloqe vetëm në rast se ekziston një rrezik për rendin dhe sigurinë publike, dhe me urdhër të drejtorit të drejtorisë vendore të policisë. Çdo qytetari që ndalohet nga një postbllok, ka të drejtë të kërkojë të njihet me urdhrin për ngritjen e postbllokut, me përjashtim te rasteve kur kjo mund të cenojë kapjen e autorëve të një vepre penale. Ndryshimi synon eliminimin e ndalimit të drejtuesve të automjeteve nga policia në rrugë, vetëm në rast kontrolli për zbulimin e një krimi. “Në vendet e BE-së, prania e postblloqeve në rrugë është një rast përjashtimor dhe lidhet vetëm me raste të veçanta kur siguria dhe rendi publik janë vendosur në rrezik”, thuhet në relacionin shpjegues.
Nisma ligjore parashikon gjithashtu rritjen e shpejtësisë maksimale nëpër autostrada nga 110 km/h që është aktualisht në 120 km/h për të shkuar deri në 130 km/h në rrugët që e lejojnë një gjë të tillë.
Një tjetër pikë e rëndësishme është mundësia që i jepet shoferëve për të mos humbur patentët në rast shkeljeje. Propozohet që qytetari të ketë të drejtë të paguajë dyfishin e gjobës në vend të masës së pezullimit të lejes se drejtimit.
Që këto ndryshime të kalojnë në Kuvend duhen 84 vota.